
Diaspora dërgoi në Kosovë mbi 900 mln euro për tetë muajt e parë të 2025
Sipas të dhënave të fundit, diaspora ka dërguar në Kosovë rreth 928.5 milionë euro gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025.
Shuma e dërguar përmes remitancave vazhdon të jetë një burim jetik për ekonominë e Kosovës.
Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar statistikat e bilancit të pagesave, remitancave, investimeve direkte etj.
BQK njofton se remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në korrik 2025 shënoi 785.06 milionë euro, që paraqet rritje prej 31.27 milionë euro ose 4.15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin gusht 2025 ishin rreth 143.4 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 928.48 milionë euro (preliminare) për tetë muajt e parë të vitit 2025.
“Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit gusht kanë qenë përmes IFJB me 41.02% përmes bankave komerciale me 17.19% dhe kanaleve tjera me 41.79%”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, BQK ka dhënë statistika edhe lidhur me investimet direkte.
“Investimet Direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2025 ishin 540.94 milionë euro që paraqet një rritje prej 24.24% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 212.78 milionë euro”, thuhet në raport.
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar po ashtu lidhur me borxhin e jashtëm bruto.
“Borxhi i jashtëm bruto – i cili përfshinë borxhin publik dhe privat në fund të tremujorit të dytë 2025, arriti vlerën 4.43 miliardë euro, e cila paraqet rritje prej 218.19 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak. Kontribuuesi kryesor i rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë ishte sektori privat për 133.13 milionë euro, ndërsa borxhi publik u rrit për 85.05 milionë”.
Ndërkaq, sa i përket borxhit të sektorit publik – në fund të tremujorit të dytë 2025 arriti vlerën 1.02 miliardë euro duke marrë pjesë me 23.03% në gjithsej borxhin e jashtëm.
Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i qeverisë, i cili në fund të tremujorit të dytë 2025 ishte 857.81 milionë euro.
BQK ka prezantuar edhe të dhëna për borxhin e sektorit privat.
“Borxhi i sektorit privat – të tremujorit të dytë 2025 arriti vlerën 3.41 miliardë euro. Pjesëmarrësit në borxhin privat janë bankat komerciale 21.10% kompanitë në relacion të investimeve direkte 27.31% dhe sektorët tjerë 51.59%”.
Bilanci tregtar
Deficiti në mallra deri në fund të korrikut 2025 arriti 3.19 miliardë euro, ose 19.03% më i lartë se vitin e kaluar.
Eksportet shënuan 528.27 milionë euro (rënie prej 1.71%).
Importet arritën 3.72 miliardë euro (rritje prej 15.57%).
Llogaria e shërbimeve
Shënoi bilanc pozitiv prej 1.11 miliardë euro, duke u rritur 22.25% krahasuar me korrikun 2024.
Të ardhurat parësore
Bilanc pozitiv prej 184.93 milionë euro, nga 113.88 milionë euro vitin e kaluar, me një rritje prej 62.39%.
Të ardhurat dytësore dhe remitancat
Të ardhurat dytësore shënuan bilanc pozitiv prej 1.15 miliardë euro (+2.74%).
Remitancat deri në korrik 2025 arritën 785.06 milionë euro (+4.15% krahasuar me 2024).
Vetëm në gusht 2025 remitancat ishin 143.4 milionë euro, duke e çuar totalin për tetë muajt e parë në 928.48 milionë euro (preliminare).
Kanale të remitancave: IFJB 41.02%, bankat komerciale 17.19%, kanalet tjera 41.79%.
Llogaria financiare
Asetet deri në fund të korrikut: 376.32 milionë euro bilanc pozitiv.
Detyrimet financiare: 900.63 milionë euro bilanc pozitiv.
Investimet direkte
Investimet e huaja direkte në Kosovë: 540.94 milionë euro deri në korrik (+24.24%).
Investimet direkte jashtë Kosovës: 212.78 milionë euro.
Asetet rezervë
U rritën për 201.48 milionë euro (+30.22%), duke arritur në 201.48 milionë euro nga 154.73 milionë në 2024.
Rritjes i kontribuoi rritja e depozitave (+264.06 milionë €), ndërsa investimet në letra me vlerë ranë me 62.58 milionë €.
Pozicioni i investimeve ndërkombëtare
Asetet ndërkombëtare u rritën me 280.91 milionë €, duke arritur në 8.41 miliardë €.
Detyrimet ndërkombëtare u rritën me 468.12 milionë €, duke arritur në 10.96 miliardë €.
Rritjes i kontribuoi: investimet direkte (+93.85 milionë €), letrat me vlerë (+59.94 milionë €) dhe asetet rezervë (+187.58 milionë €).
Rënie shënuan investimet tjera (-60.46 milionë €).
Borxhi i jashtëm bruto
Në fund të TM2 2025: 4.43 miliardë euro, rritje prej 218.19 milionë € krahasuar me TM1.
Sektori privat kontribuoi me +133.13 milionë €, ndërsa sektori publik me +85.05 milionë €.
Borxhi publik dhe privat
Borxhi publik: 1.02 miliardë euro (23.03% e gjithsej borxhit të jashtëm).
Prej tyre, 857.81 milionë euro i takojnë borxhit të jashtëm të qeverisë.
Borxhi privat: 3.41 miliardë euro. Struktura: 21.10% bankat komerciale, 27.31% kompanitë në relacion me IHD, 51.59% sektorët tjerë. /Monitor(https://monitor.al/diaspora-dergoi-ne-kosove-mbi-900-milione-euro-per-tete-muajt-e-pare-te-2025/)
Më të lexuarat









